ÐѲPPELH∑Rz²

Entries categorized as ‘R3tr0phage’

Posthuman and hardwired

September 18, 2009 · Leave a Comment

njerez te porcelante,
neper qytet,
e shkuara kaloi
porsi nje rinoceront

ne fleksin e syve qielli
gulc mbi pllakat si duar
te shtrira lypsi.

ditet shkojne
( sa here eshte shkruar ky varg ?)
ha diell,
pi hene,
fle pertoke.

dhe kur zgjohem,
zgjohem dashuruar
me vajzen e pare ulur shkalleve
Pallatit te Kultures

panjohur e marr duarsh,
e ngjitemi permbi qytet,
prane yjeve te flasim per Epiken e tyre,
prane yjeve te flasim per Epiken e tyre

Kaq transparent
sa ky trup
ti ske pare kurre!
si ta shpjegoj?
kaq i depertueshem,
kaq i vertete
me ty

pritje dialektike,
koha Antigone gishterinjsh
te pamjaftueshem,
kaq te perseritshem

te kisha me teper kohe,
por s’kam
te kisha me teper gishta,
por s’kam

si kur te mundja
te rrija zgjuar pafundesisht,
gjumi ky interval i humbur,
pafundesisht te zgjuar
duke bere dashuri

ajo flet permes metaforash
therret posterash per Majakovskin
prej Brazilit ku lianat
ne kaperthim me grafitet
ngjizin fe

simptomat jane te qarta
skuqje mollzash
marrje fryme
te ben te ndihesh keq
te ben te ndihesh mire
te ben te ndihesh dicka qe ti nuk je
zakonisht
ti s’don t’ja dish se c’bej me ty
dhe s’dua ta di c’te ndodh me mua

Ciklojme estetika fashiste te permbysura
riprodhojme beteja te Brigades se Pare
krijojme njerez te rinj
brenda parafabrikatesh
ndertesash te thikta kadareske
te ftohta kadavreske

te kujtohet kur pame Pasardhesin
Ne bllok spektri i tij
Ne bllok spektri i tij
Mikson ne lengje frutash,
Qiellzash dhe grash

Kabare histerike
Kuaj te cmendur
Qe duan te defrejne
Le te defrejme
Le te defrejme
Le te defrejme

I mbyll buzet e tua
Me dyll te kuq vulash te vjetra
Mbreterish te arratisur
As vdekja nuk heq paralele
Mbi swastikat e shndritshme
Te gjinjve te tu

S’kemi frike nga asgje
Ne kemi humbur
Ne jemi mundur
Me kembe ne toke
Ne prekemi nga cdo vale
Radioaktiviteti mitizues
Radioaktiviteti mitizues

Categories: R3tr0phage

Ti me mungon

August 30, 2009 · Leave a Comment

Ti me mungon
Dy here
Per ty per veten
Si nje titull qe perseritet ne vargun e pare
Asgje poetike
Dy paralele krahe te zgjatur
Korsi korridore vrapojne
Molleza te papjekura gishterinjsh
Te verber ne terr te prek kudo
Si nje mot i nxehte afsh
Duart mbi lekuren tende
Memorizojne cdo centimeter
Te trupit te zhveshur te prek
Kudo te puth te nuhas te lepij
Te kafshoj te puth une
Prej flokesh prej gryke prej mishi
Kafshez konshiente ti qe vuan blute
E nxira mbi te kuq
Kafshez e ndjeshme une
Mbi pranite, mbi mungesat
Qe qesh mbi ndodhite
E seksit tend
E qe neser
Qan
Dy here
Korsi qe vijne, korsi qe shkojne
Do me mungosh
E di
Dy here
Per netet e zhubrosura
Nen shtresa te bardha
Te hekurosura trupash
Motelesh recepsione te palosur
Pakujdes nga ore pritjesh
Drita te zbehta kliente sinonimik
Biseda frymoresh parazitar
Ne dhomen ngjitur mbajne
Vesh renkimet e tua
Peshpeshet e tua
Per kaosin e dy buzeve
Qe shkeputen e thyhen
E shkrihen e lundrojne
Veças ajsberg te ftohte
Pa shenja pikesimi
Asnje shenje tashme
Kumbojne vec ecejaket
E mia te betonta
Kjo hapesire pa ty pa veten
Demaskim personal
Perpara popullit
Kombit races ta dine
Te gjithe per ty per veten
Ti me mungon
Ti me mungon
Dy here
Dy here.

Categories: R3tr0phage

E bij’ e Vasilit (Elisa Day*)

April 29, 2009 · Leave a Comment

sanre
Kishte kohë aty. Po bëhej vonë dhe ajo mendoi të kthehej në shtëpi. Eci përgjatë kanalit të madh. Diçka iu kujtua, po mendjen e kishte gjetkë. Këmbët e zbathura ngjeshnin pluhurin e rrugës pa lënë gjurmë. Nuk i ndiente as gjembat, që shtypeshin nën hapat e saj. Përpara shtëpisë, së largu, pa xhaxhanë tek mbyllte lesën dhe largohej me biçikletën e tij. Deshi t’i thërriste, por iu duk e kotë, pasi ai nuk do të mund ta dëgjonte.

- Hë moj çupa e Arianit, nga ishe? – i foli një zë që përtej gardhit. Ishte Leksi, fqinji.
Ajo u habit prej pyetjes së tij; ai e njihte mirë atë dhe babanë e saj. Ç’ishte kjo pyetje?!
- Unë jam e bij’e Vasilit. – I tha atij duke buzëqeshur. Por nuk ishte buzëqeshja e saj. Vazhdoi rrugën.

X

Vasili ngriti çerepin me kujdes. Buka ende nuk ishte pjekur. E preku me gishtërinj; ishte e butë. Rreth e qark tepsisë, brumi kishte rrjedhur, ishte djegur dhe tharë. E luajti prushin me një dru; u ngrit me duart në kryqe dhe vështroi nga dritarja. Doli. Në bahçe, trëndafilët shkëlqenin me aromën e tyre. Kush i kishte mbjellë ata trëndafila? Ishin rritur të egër e kishin çuar gonxhe të plota aty pranë pusit. E këputi një dhe e vuri në xhep të këmishës. U ul mbi një kopaçe dhe drodhi një cigare.

Ajo ishte vajza e tij e vetme; drita e syve, që kur e shoqja, Kalia, i kishte lënë. “Bëj kujdes për vajzën. Gjeji një nënë të mirë, Vasil. Të rritet e bukur vajza…” – i kish thënë duke i shtrënguar duart me lot në sy përpara se të shkonte në atë botë. Po ai kurrë nuk pranoi të merrte një tjetër. Kishte bërë gjithçka që të voglës të mos i mungonte gjë. Ajo tashmë nuk ishte fëmijë, kishte hedhur shtat, I ngjante së ëmës, e bukur, e dashur, punëtore, i vinte duarsh për gjithçka dhe vajza po rritej, kishte ardhur koha të gjente dikë e të martohej. Ia kishin kërkuar në Durrës, por ai nuk donte që ajo t’i shkonte aq larg.

X

Ai kishte pak ditë që ishte kthyer nga Greqia. Kur autobusi u ndal në xhade, për pak nuk e njohu fshatin. Sa kishte ndryshuar! Por dhe ai kishte ndryshuar. Koha ndryshon gjithcka. Iu drejtua rrugicës që merrte për nga fshati: ja shtëpia e Thomait, mbuluar nga hardhitë; kishte vënë tjegulla të reja Thomai. Pak më tutje, traktori i Rakos, ashtu gjithë ndryshk, që po përpinte një ferrë e disa hapa më tutje, pranë çezmës, pa atë për herë të parë. Ndjeu diçka ta shtrëngonte në gjoks. Ishte femra më e bukur që i kishin sytë ndonjëherë. Ajo ngriti sytë vetëm kur ai kaloi fare pranë saj. Shikimi i tij e bëri të skuqej.

X

Ajo mori shtegun drejt shtëpisë. Mendoi me vete përse Leksi i kishte bërë atë pyetje të çuditshme si “çup’e Arianit”. Ndër zallët e bardhë që babai kishte shtruar në rrugicë, hithrat kishin ngritur kokë. Duheshin shkulur. Kur mbërriti tek pusi, pa babanë që tymoste një cigare ulur mbi një kopaçe.

X

Që prej ditës kur ai e pa atë për herë të parë, dashuria për të ishte rritur dita ditës, derisa i kishte dalë në rrugë dhe ia kishte thënë se ç’ndjente për të. Por ajo s’kishte ndaluar. Atëherë ai kishte këputur një trëndafil dhe kishte rendur pas saj si i çmendur. Kur e ndali sërish me atë trëndafil në dorë, duke I thënë që ajo ishte gruaja e derës së tij, asaj i shkoi një buzëqeshje në buzë. Trëndafilin ia mori, po atij nuk tha asnjë fjalë.

X

Tymosi dy tri herë, por duhani iu duk i fortë.IJu kujtua ajo ditë kur Sanija erdhi të merrte ujë në pus.
- Vasil, ku e ke vajzën?
- Ka shkuar deri tek vëllai im.
- Hap sytë Vasil, se ka moshë të vështirë ajo tani………….
Ai u afrua pranë saj dhe e vështroi në sy.
- …Ka filluar e se ç’bën ca marifete ajo me të birin e Kolit, atij që erdhi nga Greqia. Si kujton ti, ku i gjeti lekët ai që bëri shtëpinë e re?! Unë ta dua si gocën time; shih Vasil, se ta rrëmben i biri botës e ta nxjerr gocën në rrugë.
Atij ju tha goja. Djersët e mbytën dhe iu desh të hapte pakëz këmishën. Hodhi ca ujë të ftohtë në qafë. I erdhi turp, i erdhi keq, i erdhi ndoht. Hyri në shtëpi. Kapi një sëpatë. “Po s’ma merr njeri vajzën mua!” tha me vete.

X

Ajo u kthye vonë në shtëpi. Ai sapo ishte kthyer nga ugarët. E kishte kërkuar më kot. Kur e pa, pa e ditur pse, shkoi e i hoqi një pëllëmbë në faqe.
“Ku ishe? Ku? Nga brodhe? Si s’të vjen turp; gjithë fshati e di dhe mua më gënjen”.
Ajo, kokëulur, faqeskuqur, shpupurisur, u ndje fajtore. U ndje fajtore, prandaj qau.
“Kurrë s’do ta marrësh atë maskara!”, i tha ai e desh ia kërciti dhe një tjetër. Por dorën e uli dhe u largua duke shfryrë.

X
- Baba! –i thirri ajo me timbër të përqarë duke shkuar drejt tij, – u ktheva baba.
Po ai nuk i foli. Nxori çakmakun dhe ndezi cigaren e shuar.
- Dreq! S’është tharë mirë ky shejtan! – tha ai duke tërhequr ca fije duhan.

X

Kur nata ra, ata u takuan buzë kanalit të madh. Kallamishtet shkundeshin nga era. Ajo priste aty. Kishte shumë frikë. Dëgjoi hapa. Pa një hije që afrohej drejt saj. E njohu, ishte ai. U ngrit vetëtimthi dhe rendi drejt tij. Iu hodh në qafë. E puthi.
- Këtë çantën do ta mbash ti. Do të na duhen për rrugës, – iu drejtua ai duke ia zgjatur në errësirë.
- Arian, unë nuk do të vij. Babai nuk do. S’mund ta lë vetëm. Unë të dua, por jo kështu.
- Ç’flet moj?! Ti më premtove! Më dhe fjalën!
- Nuk vij!

Ajo vrapoi tutje në errësirë dhe terri e përpiu. Kur u afrua pranë shtëpisë, qetësia kishte mbërthyer gjithçka. Përgjoi hapat ngadalë për të mos bërë zhurmë.
- Ku ishe?- një zë i shpoi tejpërtej kraharorin. Zëri nuk ishte i tij. Babai kishte zë më të ëmbël, më njerëzor, më burrëror. Ai që dëgjoi ishte një zë i dobët, egërsisht i vogël. Fytyra ishte po ajo. Në dritëzën e hënës, sytë e babait ndriçuan. Iu duk më plak.
Ajo nuk foli. Ose ndoshta nuk pati kohë të thoshte asgjë…Ai e tërhoqi zvarrë dhe më pas e groposi në bahçe.

X

Mbi kopaçe, tymoste dhe mendonte për të. Tani ndihej vetëm, tërësisht vetëm. Ajo kishte qenë shpirti, shpresa, jeta e tij.

« Baba, u ktheva baba. Përgjigju! Jam unë baba! » – i thosh ajo duke e përqafuar…

Cigarja digjej ngadalë poshtë syve të tij që perëndonin trishtueshëm përmes tymit.  Në bahçe, trëndafilët kishin shpërthyer në lule.

Categories: R3tr0phage

ftohtë (720 euro)

December 14, 2008 · Leave a Comment

Një qiri i shkrirë,

ngecur në gojë të shishes

Absint pervers bodlerian,

zukat si mizë permes lojrash

hijesh murale, katedrale e ftohtë

bëj gjoja sikur shkruaj dhe duke shkruar

krijoj një gjuhë të padëgjuar më parë

kjo tribu gabimesh shtypi

dhëm b i shk ulur që impornohet

si patriarkat gishtash të thithur

 nga një miliard gra në gjunj

brenda çorapesh të palara

të flakura tutje, mendoj,

se nëse do të shkruaja

Me gjak, do të më pinin,  

Me gërma më të vogla,

Do të më hanin, kanibalët

Nuk hanë miza, duan

GERMA TE MEDHA

Si ngricat e kësaj dhome

Majë e thepisur ajsbergu

Ngrihet solemnisht

Mbi faturën elektrike të papaguar

Nuk është imazh: ato janë aty

Dalin nga goja e vockël

Në formë jarge, gërmat,

gojë e vockël,

Me dy vrima frymëmarrëse

Në dukje e heshtur, tamburet e parë

Të urisë bien, (bëj gjoja sikur shkruaj)

Për të harruar urinë.

Për sa kohë kjo tribu jeton

Mbi flegrat e xhamit

Mbi buzët e qelqit,

Përmes tij

Do të pyes veten,

 Në ç’drejtim bie ky shi i mallkuar 

gërmash të vockla, insekte,

të patretshmet “gj” “th” “zh”

dhe vorbull, turbull, grumbull

gjethesh, vështroj

qiellin anormal  

Vras mendjen

E vras. 

Categories: R3tr0phage

Njoftim

September 10, 2008 · Leave a Comment

http://arbershtembari.wordpress.com/

Kjo do te jete faqja ime e re. Titullohet Evidenca dhe do te permbaj ese dhe analiza te ndryshme sociologjike.

Categories: R3tr0phage