Tirana dukej e fjetur në atë orë, ndërsa Dajti dukej i vdekur. Rruga deri lart ishte e vështirë për tu ngjitur me atë kohë të keqe. Makina ndali në errësirë, zbritën të gjithë dhe duke e tërhequr tjetrin zvarrë, penetruan në pyll. Pishat rreth e përqark vëzhgonin si spektator të paftuar. Atë e qëlloi Thomai.Dy të shtëna diku pas kokës. U kthyen sërish në makinë. Kthimi ju duk pafundësisht i gjatë dhe monoton.
Fjeti deri vonë. Nuk pa asnjë ëndërr. Ditën që pasoi atë natë të ftohtë, e kaloi në shtëpi midis varavingave korridor-kuzhinë-dhomë gjumi. As vetë nuk e dinte pse donte aq shumë që ajo ditë të përfundonte. Ndoshta kërkonte të fitonte kohë. Po ç’kohë? Ndihej i ndyrë nga e gjitha kjo histori. Kur Thomai i kishte zgjatur pistoletën duke i thënë “Të takon ty!” ai nuk kishte pranuar dhe kishte stepur mbrapa, po jo aq larg sa ti shpëtonte cikrave të gjakut dhe ciflave të trurit që shpërthyen nga kafka e tjetrit.
Ishte mbi shtrat, kur vuri re përmes perdeve transparente, që jashtë ishte errur sërish. Ngriti krye dhe u mbështet në ballin e shtratit. Kërkoi në shtresa telekomandën e televizorit.ON. “Gjendet i vrarë biznesmeni shqiptar…mik i ngushtë i familjes së Presidentit…”. OFF. Zilja e telefonit ra sakaq. E ngriti receptorin në zilen e tretë.
- Po?!
Në anën tjetër heshtje.
Befas, ndjeu një si kërcitje fare të lehtë pas portës së blinduar. U ngrit i shpërfytyruar nga shtrati. Jashtë, xhirimi i gomave të një makine që nisej vetëtimthi. Bëri të ul receptorin, kur një zhurmë e tmerrshme e flaku dhunshëm përkundër murit. Nuk ndjente asgjë, një ushëtimë i zhuzhuriste brenda në kokë, ndërkohë sytë, të ngarkuar prej pluhurit, i dhimbnin. Brenda në kokë, jehonte një zhurmë lineare e pandërprerë. Pa kaluar shumë minuta, ndjeu se dikush, e çliroi prej diçkaje të rëndë që i kish rënë mbi shpinë që e mbante të mbërthyer përtokë. Ndjeu si një dorë e fuqishmë e mbërtheu prej krahu dhe filloi ta tërhiqte zvarrë. I përhumbur brenda asaj jehone zhurmuese, i erdhën në mend fragmente nga ato orë të frikshme atje në mal në mes të pishave. Ju kujtua dora e zgjatur e Thomait me pistoletën e karikuar. Iu duk sikur e mori atë pistoletë dhe tjetrin përgjysmë të mbuluar të ulur në gjunjë me kokën mbështetur pas një trungu, e zbuloi. Dhe me sy të shqyer, kuptoi që ishte ajo, ishin ata, “babi, babi”, “Oh i dashur, këtë verë ti çojmë fëmijët në Dhërmi”. Gjithçka i kaloi nëpër kokë si një album fotosh. A do ti vinte vallë fundi pikërisht nga kjo dorë që po e tërhiqte zvarrë? Dy plumba pas koke dhe gjithçka do të mbyllej aty? A do ta ndjente vallë plumbin e dytë?
Kur hapi sytë dalloi vetëm bardhësi. Qetësi totale. “Jam verbuar. Jam shurdhuar…ose kam vdekur.” tha me vete. Një kokë e thinjur ju zgjat nga lart deri mbi fytyrë.
- Ju kujtohem unë?,- tha fytyra e rrudhur duke lëshuar prej gojës së eshkur një erë të rëndë stomaku.
Jo! Ai nuk i kujtohej.
Në spitalet shqiptare gjendjen e kishte menduar më të keqe. Ushqimi s’ishte i keq, shërbimi ju duk normal, mjekët të përkujdesshëm. Teksa rrufiste plot uri supën me lëng mishi, ndali, psherëtiu: sigurisht të gjitha këto bëheshin për të, sepse ai nuk ishte dokushdo. Vendosi pjatën në komodinën në të majtë dhe teksa bëhej gati të ngrihej për të mbathur shapkat, sytë i zunë diçka që diku e kishte parë më parë. Mbështetur pas murit, një bastun, mbi të cilin ishte gdhendur një gjarpër rreth e përqark.
- Plaku!-bërtiti.
Dera u hap. Dy policë u dukën në pragun e saj.
- Gjithçka në rregull zotëri?
- Po, – tha ai pa ja shqitur sytë bastunit.
Veten e mori më shpejt seç e parashikonte. Kishte ende një të çarë të thellë në vetull dhe një tjetër në kofshë. Por, ai ishte gati për atë takim. I kishin ardhur dy oficerë të SHIU’t në zyrë, që me një saktësi për tu admiruar, i kishin shpjeguar detajet e takimit që do të mbahej në Vlorë, në Pashaliman.
Një xhip ushtarak e priste poshtë shtëpisë atë mbrëmje. Kur arritën në Farkë, një J-7 kishte ndezur motorrat. Helikat si thika të mprehta çanin tejpërtej ajrin. Një oficer e ndihmoi të hipte, i nguli në kokë një kaskë dhe pasi shtyu me forcë portën e helikopterit i bëri shenjë pilotit të nisej. Helikat u bënë aggressive. Ai ndjeu një boshllëk në bark, kur aparati u shkëput nga toka dhe iu drejtua qiellit.
Një “mirëmbrëma” I hyri në kaskë. Ktheu nga personi përkrah tij. E njohu.
- Mirëmbrëma, – iu përgjigj.- Kishit harruar bastunin në spital. Mendova se nuk do të shiheshim më, se mund t’ua kisha sjell gjarprin tuaj.
- Ne nuk njihemi.
- Sigurisht që jo, por duhet të jeni vërtet aq i çmendur sa të guxoni të vinit në varrimin e familjes sime.
- Profesioni detyron i dashur mik. Donim thjesht të verifikonim më nga afër impaktin e aksionit tonë.
Donte ti hidhej në fyt, ta mbyste me duart e tij.
- As të mos e mendosh, – tha tjetri duke zbuluar poshte pulovrës një pistoletë., – po dhe sikur, në këtë lartësi, nuk do të ishte interesante për askënd nga ne, të humbnim ujrave të Adriatikut e të na hanin peshqit.
- Ç’ju duhem unë së gjalli, kur ju desh më vratë në atë shpërthim ?
- Ishte një gabim teknik, doza ishte e mbingarkuar. Nuk kishim qëllim t’ju vrisnim në atë shpërthim.
- Ç’doni prej meje ?
- Ti e di shumë mirë ç’duam. Erdhëm dhe me shumë mirësjellje ju kërkuam një nder. Ju nuk pranuat. E patë se ç’ndodhi. U përpoqëm të ishim dashamirës ndaj jush, por në këtë zanat ka dhe viktima. Gjithsesi ju duhet të jeni më i lehtësuar qëkurse eliminuat kolegun tonë atje në mal. Dhe ai kishte një familje, kishte fëmijë që e prisnin atje tej kufirit. Çdo luftë është e qelbur, nuk ka luftra të pastra. Kjo e jona, është më e fisme.
- Ta vrasësh gra dhe fëmijë, ju duket e fisme ?
- Të hyjmë në temë : Autostrada që ne kërkojmë të ndërtojmë, nuk është thjesht një rrugë, siç e quani ju shqiptarët « patriotike », por shumë më tepër se kaq. Ne kemi nevojë për këtë korridor, po aq sa ju. Atëherë përse tregoheni kokëfortë ? Ju keni dëshmuar se jeni të aftë të krijoni ura komunikimi me ne, po aq patriotike, sa dhe kjo autostradë. Apo i keni harruar milionat e naftës që bëtë nga ne, kur na duhej t’ju luftonim pikërisht juve, patriotëve, maleve të Drenicës ? Sigurisht, ishin kohra të këqija, si për ne dhe për ju. Tani, amerikanët kanë hyrë kudo. Është çështje tregu. Ndoshta ka ardhur koha për paqe.
Atij, nuk i shqitej nga mendja ai gjarpër i gdhendur mbi dru. Ndërkohë helikopteri manovroi dhe filloi uljen mbi një pistë të ndriçuar nga pishtarë me zjarre. Aparati u ul qetësisht, piloti fiku motorrët, helikat pa u ndalur, sikur u qetësuan. Dikush u afrua tek porta, e hapi, e ndihmoi të zbriste duke i hequr kaskën dhe e shoqëroi drejt një mercedesi që priste disa metra më tutje me dyert e hapura. U ul në sediljen pas, përkrah atij, portretin e të cilit e mbante varur në mur.
- Mirëmbrëma zoti President. Më thoni ç’po ndodh ?
- Mirëmbrëma. Asgjë për tu shqetësuar. Besoj se gjatë fluturimit tuaj, ju kuptuat diçka më shumë.
- Po, por…
Ai e ndërpreu.
-Shiko, pa i komplikuar më shumë gjërat. Me këtë nismë dalim të gjithë të fituar. Me këtë nismë fiton dhe populli…po, po fiton dhe ai. Serbët nuk janë dhe aq të këqinj sa i kemi bërë. Ballkanas hesapi.
- Zoti President, ju e dini që nëna ime është nga Gjakova ? A e dini ju që në ‘45 këta qenër masakruan familjen e saj dhe tani, tani masakruan familjen time. Si mund të më kërkoni ju këtë gjë pikërisht mua?
- Ne kishim informacion për familjen e nënës tuaj,ndaj ju zgjodhëm.
- Kjo është absurde zoti President.
- Do ta marrë në konsideratë humbjen e të shtrenjtëve tuaj….tani, atje ku po shkojmë, është më mirë për ju të mos thoni asgjë. Heshtjen tuaj do ta trajtojmë si një përgjigje pozitive.
Mercedesi u ndal pranë një moli. Atje prisnin katër persona, të armatosur deri në grykë dhe një i pestë i ngjeshur brenda pardesysë së tij më jaka të kthyera përpjetë. Zbritën nga mercedesi. Diku tutje, dalloi siluetën gjysmë të mbytur të 105’s, nëndetëses heroike. Tani ajo dergjej si një shpirt i sakatuar në gjendje kome që pret zhdukjen totale nga hapësira e frymorëve të gjallë.
- Atëherë? -pyeti ai me pardesynë e gjatë të zezë.
- Gjithçka në rregull, – tha presidenti.
Atij i erdhën në mëndje sërish zërat e tyre “babi, babi”, zëri i saj ëmbël kur i thoshte “Të dua”. Ndërkohë që ata flisnin, atij ju mblodh në grykë një klithmë që s’mundi dot ta mbante më përbrenda.
-Jo! Kurrën e kurrës! – dhe u turr drejt atij me pardesynë e zezë. Të shtëna breshëri kafshuan ajrin dhe era e barutit u ndje shumë e fortë për sekonda të tëra. Qëndroi pa lëvizur, ashtu i mbërthyer pas asaj toke që ai e donte aq shumë. “Po vij drejt jush”. Dëgjonte të rrahurat e dallgëve mbi mol. Tutje 105-a ju duk si një vello e zezë që ndriçonte mort dhe kohra të vdekura heronjsh shqiptarë.
Fund, 26 tetor 2008






