Ky eshte nje short movie, nje eksperience e pare ne montazh.
Materialet ne film jane te marra rastesisht ne net dhe me pas jane punuar nga une.
Per kolonen zanore jane perdorur rammstein, manson, nirvana dhe kompozime (mix) te miat.
enjoy!
Ky eshte nje short movie, nje eksperience e pare ne montazh.
Materialet ne film jane te marra rastesisht ne net dhe me pas jane punuar nga une.
Per kolonen zanore jane perdorur rammstein, manson, nirvana dhe kompozime (mix) te miat.
enjoy!
Pas xhamit të akullt të zyrës së tij ai pa të avitej një hije. Nuk e la të afrohej më tutje. E urrente për vdekje atë trokitje të thatë kockash në xham. E urrente akoma më tepër kur dikush çukiste në të me unazë. Urdhëroi hijen pas dere: « Hyr! ».
- Shef, ky është bilanci vjetor, – tha Mirela duke i kaluar një tufë me letra.
- Lëri mbi tavolinë. Po i bëj një fotokopje, po ja kaloj Rafaelit më vonë.
Ajo doli duke tërhequr derën ngadalë pas saj.
I hodhi një sy shkresave. Shifrat ju dukën pafundësisht të errta si gropa të thella që deformohen. E pamundur të përqëndrohej. I dhimbnin sytë. I dridheshin duart.
Ishte zgjuar keq atë mëngjes. Kishte kërcitur gishtat deri në shtatë e gjysëm, kishte skuqur dy vezë, një për të dhe një për vete dhe më pas e kishte çuar për në shkollë. Ajo duke tërhequr çantën për të zbritur, kishte kthyer kokën me sy të përqarë “Ba’, ku është mami?”
Ngriti kapakun e fotokopjuesit, rrëshkiti në brendësi dorën e mbushur me shifra. Ndjeu ngrohtësi. I dha menjëherë start. Sakaq goja anoreksike filtroi që poshtë një dorë të mavijosur mbi një sfond të bardhë me njolla. “Kjo makinë ha dhe vjell”. Start. Start. Start.
Ajo mbaronte në dy mbasdite. E njohu së largu prej bishtalecave të verdhë. I hapi derën, çantën ja hodhi në sedilen e pasme, ajo e vështroi me inat duke vënë rripin.
Makina çante përmes hapësirës së betonuar të qytetit, në radio një këngë idiote filloi ti çante veshët “I’m leaving it all up to youuu…” kaq, gjithçka që vijonte I dukej si një la-la-la e mërzitshme. Anglishtja e tij s’shkonte më tutje. E fiku radion. “Xhan, vë ndonjë cd po të duash.” Ajo psherëtiu.
Nga pas mjaulliu një makinë policie. Hapi krahun. Oficeri u afrua. “Nuk e patë tabelën “Stop”?
Ajo e adhuronte supën e peshkut. Ja ngrohu, ja vuri përpara. Në ekranin para syve të saj, figurinat ndiqnin njëra tjetrën. Ajo mbushi një lugë plot për plot, i fryu me faqet si top dhe e shijoi pakëz : « Mmm, sa e mirë është bërë». Buzëqeshi dhe u harrua sërish pas filmit.
Ra zilja. Prej syrit magjik, ajo ju duk shumë e largët. Hoqji siguresën pas derës, të cilën nuk e kishte ndërruar ende. Diku pranë bravës së improvizuar kishte një të thyer të rëndë. Duhet të kishin përdorur leva të mprehta. Ajo derë nuk shqyhej ndryshe.
- Mirëmbrëma, – tha ajo.
- Ç’kemi Mirela?
- Erdha të të shoh si je sot?, -tha ajo e ndrojtur.
- Më mirë. Eja brenda.
Mirela hyri në kuzhinë, ndërsa ajo pa i shqitur sytë nga filmi, kapërdiu një lugë supë.
- Ana, të kam sjell një kukull.
Ajo s’lëvizi.
- Lëre. Është e lodhur. Ka pasur gjashtë orë sot.
Kthyen nga një gotë të dy në ballkon.
- Nuk e kam të thjeshtë Mirela. Nuk di si t’ja them. Nuk di. Si mund t’ja shpjegoj?
Ajo i shtrëngoi dorën dhe e pa në sy. Ndërkohë dy hapa të vockla të zbathura u afruan duke thënë:
- Babi, është dikush tek dera!
Ai u kthye drejt saj, e mbërtheu butësisht nga shpatullat e duke rënë në gjunjë i tha:
- Nuk hyn kush zemër. Askush nuk i ka çelësat e shtëpisë sonë.
18 shtator, 2008
http://arbershtembari.wordpress.com/
Kjo do te jete faqja ime e re. Titullohet Evidenca dhe do te permbaj ese dhe analiza te ndryshme sociologjike.
- Po kjo ç’është ?
- List, – ju përgjigj ai dhe vazhdoi të luante sërish, duke i parë në sy sikur ti pyeste « a ju kujtohet, këtë ua kam mësuar unë ». I buzëqeshte ëmbël me sytë që i shndërrinin nga kënaqësia. Dy të tjerët zgërdhiheshin. Notat zhurmonin njëra pas tjetrës si të rrokulliseshin gura prej qiellit.
- Ah po, kjo ishte një Beethov…,- pohoi duke u përmbajtur njëri prej tyre.
- Jo, jo, – ja preu tjetri me dhëmbët jashtë,- kjo ishte nga Mozart.
– Ishte sërish List. List. List dreqi e mori, – një rrëke djerse dëshpërimi me burim nga thellësia e flokëve i shkoi rrëke mespërmes ballit. E fshiu me parakrahë.
-List prapë? Hmm ka mundësi, se notën e dytë nuk e kapa mirë,- Ata u shkulën së qeshuri të dy. Njëri u rrokullis përtokë duke u gajasur si marrë, tjetri mbante barkun me dorë.
- Boll, boll për atë Zot, uff, vdiqa, po na dhembin nofullat.
Tjetri vazhdonte të qëndronte si i mekur përtokë. Shkëmbyen një vështrim dhe njëkohësisht u doli :
- Po paska qënë i njëjti ! – Dhe një e qeshur dhe më e fortë u shpërtheu sërish të dyve.
Tërësisht i thyer, me lot në sy ai u mjaftua t’ja kthente veç me një buzëqeshje mizore:
- Qeshni, qeshni o plehra, o maskarenj, harbutër. Kurrë s’keni për tu bërë njerëz.
Në shtëpi u kthye vonë. Diku në hyrje të parafabrikatit një si zë hijene e thirri “mos bridh natën me kurva o kapiten Gremçi”. Bëri skur nuk e dëgjoi. Shtyu derën ngadalë dhe u vodh si hije brenda.
- Baba, ti je?
- Po.
- Po ku ishe? Na bëre merak
- Tek shtëpia e Kristaqit.
Hyri në dhomën e saj. Ajo, e shtrirë mbi shtrat, me kokën të ngulur mbi jastëkun e mbështetur pas murit dhe këmbët e kryqëzuara, mbante në duar një libër. Ai ju afrua. I mori njërën dorë, ja puthi. Ajo kishte duar të bukura, fine, me lëkurë të butë. me gishtërinj të gjatë, me thonj të prerë me kujdes, SIkur të mos kishte vazhduar gazetarinë, ajo me siguri do të mund të ishte bërë një pianiste e përkryer. Ja puthi dhe dorën tjetër. Ajo si në faj, e vështroi imtësisht, u ngut të thoshte diçka, por ai nuk e la të vazhdonte.
- Lëre, mos thuaj asgjë, nuk kam nerva të merrem me muhabetet e tua tani.
Bëri të dilte nga dhoma. Ktheu kokën pas.
- Dhe të lutem mos më shqetëso, do punoj pak këtë natë. Ti më njeh kur nis diçka, më duhet ta përfundoj patjetër.
Atij ende i vinin letra pafund nga admirues nga e gjithë bota. Ajo tentoi ti thoshte njëherë për letrat e sotme, por gjithsesi, pa ndihmën e saj ai kurrë s’do të mund ti lexonte ato. Disa sekonda më pas ajo ndjeu sesi hapat e tij në korridor drejtoheshin drejt dhomës së tij të punës, më pas pasoi çjerrja e zakonshme e derës dhe kthimet e njëpasnjëshme të bravës, pas saj. Ndërroi faqje pa ja hedhur sytë librit dhe pasi përgjoi kollitjet e tij së largu, ju rikthye sërish. Faqja 178.
Ishte tepër nervoz. Kishte kollë. Gjumë nuk kishte. Por dritën nuk e ndezi.
- Plehrat, dikur m’i kanë sjell këtu për dore, hanin biskota dhe i qurraviteshin mamave (holloi zërin) “ Oh, po djali ka talent mjeshtër, veçse duhet t’ja kalitni pak vullnetin”, vullnetin fundërrinave, dhe unë ju dhash gjithçka kisha, ju bëra dikush. Në Moskë, Paris, Madrid kudo ju dëgjojnë, e ju, ju të poshtër s’dënjoni të më dëgjoni më mua, mua, po unë jam gjallë, unë s’kam vdekur, nuk kam vdekur. Jam më i gjallë se ju, unë i ngjall të vdekurit.
Rrëshqiti dhunshëm cohën e bardhë që mbulonte pianon e vjetër. Ajo fluturoi e u zhduk tutje në terr si pulëbardhë e trembur. Goditi dhunshëm mbi tastierë. Notat e para çanë errësirën tejpërtej. Ngriti krahët në ajër si shtiza të mprehta kalorësish fitimtarë dhe thirri :
- Çohuni, çohuni o të vdekur, dilni nga varri o të krimbur! Orkestra, orkestra këtë natë do të luajmë Totentanz, po, nga List, për zonjat dhe zonjushet plot hir, Totentanz për zotërinjtë me smoking dhe cilindra të zinj…Totentanz, nga dora vetë, kapiten Gremçi, pianisti më i mirë në botë. U ul plot klas, (shshsh) ju drejtua tastierës. Filloi.
Notat e vranë erresiren, e ai ndjeu po ate dhimbje qe kishte ndjere natën e aksidentit. Zëri i tij i ngjirur mejhaneve plot tym me kurva të mbytura në përrenj alkoli, i mpleksur me ato nota të çmendura që binin si daulle lufte, bëri të vibronte shandani prej kristali, pikturat e zverdhura në mure, Mozartin e trishtuar mbi tryezë. Ndersa tastet nguleshin njëri pas tjetrin, të qepurat e tij kullonin gjak, gjaku shkiste mbi nota e ato si qyqare të ngrata ndiqnin urdhrat e tij. Befas dëgjoi zërin e saj të përlotur pas derës, ajo diç thoshte, fjalët e saj i vinin të segmentizuara, i përngjanin një përgjërimi, por ai ishte gjetkë “Orkestra ime, Totentanz”…
(« Mik nuk më kujtohet ç’ndodhi më pas” i tha autorit).
Ajo e dinte që ai e adhuronte ajrin e freskët të mëngjesit, ndaj enkas ja kishte hapur dritaren pranë shtratit. Por këtë mëngjes atë e zgjoi duhma e jodjos mbi fashot e gjakosura.
Ajo u afrua pranë tij, në duar e saj mbante një filxhan çaji.
- I kishe bërë copë mbrëmë. Ç’të gjeti? Doktori të tha njëqind herë të bëje kujdes derisa të vinin protezat, – psherëtiu dhe ia hodhi pas me pëllëmbë baluket e bardha që i binin mbi ballë.
- Të kam bërë një kamomil, – I buzëqeshi ajo ëmbël, – do të të bëj mirë.
Ja mbushi lugën e vogël, I fryu pak.
-Epo që do të vinte dita që do të më ushqeje ti, këtë kurrë s’e mendoja…
- Oh, mos u bëj fëmijë, hape gojën baba.
Ju qas dhe më tepër murit të ftohtë duke tërhequr vrullshëm mbulesën drejt gushës. I pëlqente kjo gjëndje e paformë : duart e mbështetura në mur, me kurrizin e ngërdheshur pak në formë harku, me gjunjët e përthyer plotësisht dhe këmbët e ftohta. Ndjeu duart e saj të rrëshkisnin tinëz mbi gjoksin e tij. U kthye drejt saj dhe e vështroi disa sekonda i palëvizshëm ; frymëmarrja ju ngadalsua, e gjithë qënia e tij heshti, ndjente përbrenda bum-bumin e pandalshëm të zemrës. Vështrimi ju ngul mbi qerpikët e saj të zinj, të gjatë… « As ti nuk më do »- mendoi.
Si ta kish’ dëgjuar, ajo hapi sytë ngadalë, tepër ngadalë si dikush që del nga një kllapi. « Zemër »- shqiptoi ajo lehtë, sikur shkronjat ti rridhnin prej buzëve. Zëri i saj u përplas në xhamin e vështrimit të tij dhe u rrëzua dhunshëm mbi heshtjen e tij, diku mes dy trupave të zhveshur. Ato buzë iu dukën si ajo Z e gjakosur në « zemër ». « Jo, as ti nuk më do »- tha me vete. « Merr rrobat, vishu dhe zhduku » dhe u kthye nga ana tjetër, drejt murit të ftohtë…
Ishin të athta, të kolme. I bleva poshtë shtëpisë, tek Jani: “Janë mollë vendi, mollë fshati”, -më tha. Në lavaman ato dukeshin si koka të zbathura që prisnin në rradhë për të bërë dush. Uji erdhi nga larg me një si zë të çjerrë si kurvë e papaguar. I lava mirë, i fërkova fort, i shplava me kujdes. Mikrobet mblidhen tek bishti, ndaj i shkula një për një dhe i flaka në kosh. Bishtat fluturuan të vdekur si flokë të rënë. Pa flokë ajo dukej si e vdekur.
Telefoni dremiti gjer në mbrëmje vonë. Kur i telefonova ajo ishte zgjuar.
- Hë mi zemër, si je sot?”
Ajo heshti për një cast…
- Doktori tha se u duhet ta intensifikojnë kimion…sot nuk shkova për gjilpërat.
- Cfarë thua?! Por ti duhet patjetër të shkosh…
- Ohu të lutem boll, dali ku të dali”.
S’dija ç’ti thoja.
- Mos u bëj merak, doktorët do bëjnë të pamundurën. Do shërohesh, jam i sigurtë.
Shtova, – Të dua.
Tek kjo e fundit nuk e di pse zëri me doli me atë artificialitetin që ndjell pema e vitit të ri.
- Jam shumë e mërzitur. Ngela mbyllur në dhomë. S’mundem dot ti shoh më këta të shtëpisë duke u qaravitur gjithë ditën.
U fiksova me ritmin e frymëmarrjes së saj në receptor dhe fillova ta imitoj. Ndjekje e vështirë.
- C’po bëje ti? – më pyeti.
Mbi tavolinën e drunjtë në zemër të sallonit, ashtu kalapiç njëra mbi tjetrën, ato rrezatonin ëmbëlsi. Uji kishte kulluar përfund enës së qelqtë të stolisur me ëngjëj fluturues të tejdukshëm. Të mpiheshin dhëmbët ti shihje. Jani e kishte fshirë një me duar dhe ma kishte zgjatur para hundës “Provoje vetë, unë s’të gënjej, janë shumë të mira”
Ajo më tha se me donte shumë, por biseda ishte më e gjatë se kaq. Shumë detaje s’më kujtohen.
Para se të shtrihesha mora një kokërr, e preva në dysh.
Kanë mollët gjak? Kishte pasur të drejtë Jani, “I ke pa hile” më tha. “Këtu vijnë blejnë të gjithë, burra, gra, fëmijë”. E vërtetë! Fëmijët i hanë shumë mollët. Mua më pëlqente shumë gjoksi i saj.
12h 38
Fëmijët luajnë buzë lumit. Qeshin, ndjekin njëri-tjetrin, « mami mami shiko » gjuajnë me gurë mjelmat. Por, ato nuk ndihen fajtore, ndaj nuk largohen. Janë mësuar tashmë me njerëzit. Gurat fluturojnë mbi kokat e tyre çdo ditë e më pas thyejnë krahët sipërfaqjes së lumit –PlluP- zhyten ngadalë thellësive dhe zhduken drejt fundit.
12h 43
Është ditë e pazakontë për këtë sezonë shirash : ka diell, një diell i ftohtë, por që ka i dhënë ngjyrë gjithçkaje përreth. Rrezet ngulen si shigjeta në trupin e lumit dhe më pas shkulen sërish prej tij për t’iu rikthyer qiellit a syrit tim.
13hH 14
Buzë lumit Vjenë shtrihet lagja më e vjetër e qytetit. Shtëpi dykatëshe me çati të kuqe, me mure të bardha dhe dritare druri të kuqerremtë. Një rrugicë zgjatet anës lumit dhe diku pranë urës së Shën Stefanit përfundon me një parking. Rrugica gëlon nga njerëzia. Janë bërë si milingonat, dalin vetëm kur kanë uri dhe kur ka diell.
(Gjithçka filloi buzë këtij lumit të mallkuar. Ishte natë, në qytet bushtrat endeshin trotuarëve, te etura per seks nën reflektin e hënës përgjuese. Nga kamionët e mëdhenj që shkelnin rëndomë semaforët e kuq buronin vështrime epshore njërëzish të lodhur nga puna. Nxitova hapat, isha vonë. Diçka më kishte vonuar si zakonisht. Ndihesha fajtor për vonesën e krijuar.
Nuk isha larg. Isha gati pas saj. I mbylla sytë. Ajo nuk reagoi. Ajo s’kishte frikë nga asgjë. « I njoh duart e tua »,- më tha dhe vazhdoi « Po mësohem dhe me vonesat e tua ». Unë s’dija ç’të shtoja. U mjaftova duke thënë « Të kërkoj ndjesë ». U ula pranë saj. Parfumi i saj më goditi në kokë si gurët e rëndë të katedrales. Katedralja pranë urës ngrihej si gjigand i heshtur dhe i menduar mbi ne. KOha kalonte. Ajo u zhvesh pikërisht në momentin, që hija e këtij gjigandi po përpinte edhe stolin ku ishim ulur. Trupi i saj shkëlqente si thikë. Ajo ishte e mprehtë si thikë. Më mori prej dore, më zhveshi ngadalë, më puthi, dhe më tërhoqi në brendësinë e saj. Jo shumë thellë, jo shumë cekët, por ndiheshim mirë. Nuk e ndjenim as të ftohtin, ishim tërësisht të mbështjellë prej trupave tanë që krijonin një farë mburojeje ndaj erës së ftohtë të lumit. Ajo më pëshpëriti mbi faqje planin e saj për të nesërmen. Kishte menduar gjithçka në imtësi. Gjithçka ishte e shkruar në mendjen e saj. Gjithçka duhej bërë.)
14 h2i
Ajo më tha “unë vdes për ty”, por unë s’doja në asnjë mënyre që ajo të vdiste për mua. Nuk e doja, kjo ishte e dukshme, sepse bëja gjithçka që ajo ta kuptonte këtë gjë, nuk e prekja, nuk e puthja, nuk i bëja dashuri, nuk i përgjigjesha, nuk i flisja, nuk flija me të, nuk ecnim dorë për dorë si çiftet e tjerë ; ajo qante dhe kjo gjë më mërziste tej mase.
(-Ej ej po më shkatërron dhomën, mjaft bëre si e çmendur, -po ajo s’donte t’ia dinte. Qeshte si e marrë. Përpëlitej përtokë e zhveshur.
-Jo, jo lëre ku e gjete atë kuti…mos i prek bojrat, nga ajo e kuqja më ka mbetur shumë pak, ti e sheh…dreqi e mori… – qesha dhe unë. Më bënte për të qeshur kur bënte atë fytyrë idiote. Ajo u ndal për një çast :
-Eja këtu !
-Ç’bën ?
-Pikturoji gjinjte e saj mbi gjinjtë e mi !
-Oh, lëre mos ma kujto !
-Ajo ende s’e ka kuptuar që ti mua më përket ?)
14h S2
Dikur mbi atë urë guri kalonin pelegrinët. Kur beson, nocionin i kohës zhduket, nuk ka një të shkuar, apo të ardhme, nuk ka as të tashme. NUk ka kohë fare, nuk ka as vend, as pyetje,nuk ka kur, ku, kush. I imagjinoj si sot ata pelegrinë. Vinin prej veriut më së shumti dhe ndiqnin rrjedhën e këtij lumi. Shumë prej tyre linin kockat rrugës, disa te tjerëve as kockat nuk iu gjetën, sikur dheu t’I kish përpirë, ata më të gjallët, pas ditë e netësh të tëra ecjeje, e mbanin frymën në katedralen përbri urës.
SMS
“Ç’kemi zemër? Unë sapo u zgjova. Kam pare ëndrra të tmerrshme këtë natë. Ti më mungon kaq shumë këto kohë. Çfarë ke? Më fal kur të mërzis. Tu puth fort, të dua shpirt”
(-Vazhdo, më fort, ti më çmend, o kafshë, je kafshë.
-Të pëlqen kështu lopthi o kurvë.)
Ajo më tha “unë vdes për ty”, por unë s’doja në asnjë mënyre që ajo të vdiste për mua.
Në derë shkruhej “Prokurori i Republikës”
(fjalë të pakuptueshme mes DISA PERS0nash )
“Nuk e vrava unë. Ne ishim të dashuruar”
-Nuk ka prova, – tha ai përmes syzeve të errta,-Një vetvrasje.
15h 15
Thonë që kur orët me minutat ngjasojnë, dikush me siguri mendon për ju.
Sot mendoj unë për të.
Ajo më tha “unë vdes për ty”,
por unë s’doja në asnjë mënyre që ajo të vdiste
për mua…
Ajo mbështeti shpatullat e zhveshura në mur. Hoqi me dorë flokët e verdhë që i binin mbi sy. Drita e fuqishme e prozhektorëve i verbonte sytë. « Buzëqesh, buzëqesh ! »- urdhëroi zëri i tij. Ajo u sforcua të bënte një buzëqeshje. « Po hë pra dreqin shkrepe se na plase », -mendoi.
Disa metra përballë saj, autori shënjoi një fytyrë të zbehur në objektiv. «Buzëqesh…aty…bravo, aty…!», – përsëriti për të disatën herë. «Kjo do të jetë e mirë », -dhe e shkrepi.
“Perfekte”, -brohoriti nga gëzimi, teksa shihte trupin e saj të mbytur në gjak të zgërlaqej përtokë pa jetë.
U ngrit i kënaqur prej vetvetes, bëri disa hapa drejt frigoriferit. Mori një birrë prej andej. E hapi sakaq dhe rrokullisi ca gllënjka. Vështroi drej saj. I erdhi keq. Ndoshta duhet ta kishte shkrepur atë pozë nën një kënd tjetër.
Kur babai ja preu degët plepit, ajo qau me ngashërim. U mbyll në dhomë për disa ditë dhe me të gjithë të luturat e të vetëve nuk doli prej andej për dy ditë me rradhë. Ajo e donte atë plep. E kishin mbjellur ditën që ajo lindi. I pëlqente të qëndronte me orë të tëra para tij dhe të dëgjonte në heshtje gjethet e freskëta teksa fëshfërinin ndër degë. Ai plep për të ishte më tepër se sa një pemë ; ishte gati një njeri. Ndërkohë që autori mundohej të përshkruante plepin e mrekullueshëm me degë të gjelbërta, ata që ishin me veshin pas derës, brofën nga një klithmë si e therur që volli prej përbrenda dhomës. Derën e rrëzuan me shkelma. E gjetën përtokë, të mbytur në gjak ; një pellush buzëqeshte i flakur në qoshe. Sytë e saj ishin mbytur në lot si pas një traumatizmi lakrimal. Babait i dridhej buza « Ç’na bëre moj bijë ? »…zëri i tij kumboi prej dhimbjes porsi ditën e atij të mallkuari shpërthim.
(Atë vajzë duhet ta keni parë me siguri tek lajmet. Ishte ajo vajza fytyrë gjakosur veshur me kadife. « Babi unë s’do të mund të të përqafoj më », – i kishte thënë teksa e ngarkonin në helikopter.
Televizori në qoshë të korridorit të spitalit tejngopte atmosferën e ngarkuar «…një tragjedi ka ndodhur në fshatin…13 të vdekur…autoritetet kanë marrë masa…të plagosurit janë… ». « Po e nisin për në Bari » – u kishte thënë një nga ata djemtë e Reneas )
E shtrirë në dysheme si princeshë e vdekur, ajo hapi sytë ngadalë. Pa hijen e dikujt të përkulur mbi të. « Baba, krahët ishin degët ».